Inaugurohen dy çerdhe të reja publike në Kërpimeh dhe Orllan

Sot në Komunën e Podujevës janë përuruar dy çerdhe të reja publike, njëra në fshatin Kërpimeh dhe tjetra në Orllan. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, deputetë, mësimdhënës, prindër dhe zyrtarë komunal.

Në Kërpimeh, objekti i vjetër i shkollës fillore “Hamit Sejdiu” u rinovua me një investim prej rreth 200 mijë euro, duke u shndërruar në një çerdhe moderne me kushte të mira për fëmijët. Ndërsa në Orllan, hapësirat e shkollës “Zahir Pajaziti” u adaptuan në klasa funksionale e të përshtatshme për çerdhe.

Kryeministri Kurti uroi fëmijët dhe edukatorët, duke theksuar se investimi në fëmijë është “investimi më i sigurt në të ardhmen e vendit”. Ai përgëzoi kryetarin Bulliqi dhe Komunën e Podujevës për angazhimin në këtë projekt.

Nga ana tjetër, kryetari Bulliqi falënderoi Qeverinë për mbështetjen dhe theksoi se bashkëpunimi i mirë ka sjellë projekte të rëndësishme për qytetarët. Ai shtoi se investimet në arsim dhe përkujdesje për fëmijët mbeten prioritet dhe shprehu bindjen se edhe në mandatin e ardhshëm Podujeva do të përjetojë zhvillim të qëndrueshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *