Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për vrasje në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në rrahje. Të dyshuarit, shtetas kosovarë, janë përfshirë në një përleshje fizike mes veti për motive ende të panjohura, ku dyshohet se janë përdorur edhe armë zjarri.
Si pasojë e përleshjes, njëri nga të dyshuarit ka pësuar lëndime trupore nga një mjet i fortë – sëpatë, ndërsa tjetri është plagosur me armë zjarri. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.
I dyshuari që dyshohet se ka shtënë me armë zjarri është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe është në kërkim nga policia.
Gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes, policia ka konfiskuar dy vetura (njëra e dëmtuar), një sëpatë, dy sprej, një shkop metali dhe tre zinxhirë dore.
Prokurori i rastit është informuar për ngjarjen, ndërsa njësitet relevante policore kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave./Raporto24