Pas vendimit të Kryesisë së PDK-së për të mos e nominuar si kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit në zgjedhjet e 12 tetorit, Ramiz Lladrovci ka njoftuar se do të garojë sërish për këtë post, por kësaj radhe me një subjekt të ri politik.
Subjekti i ri do të quhet “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin” (PDKRLl) dhe do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale vetëm në nivel komunal – për kryetar dhe për asamblenë komunale.
Në një deklaratë publike, Lladrovci ka kritikuar ashpër vendimin e Kryesisë së PDK-së, duke e quajtur procesin jodemokratik, të paarsyeshëm dhe në kundërshtim me vlerat që ka përfaqësuar PDK-ja ndër vite në Drenas.
“Vendimi për zëvendësimin e kryetarit më të suksesshëm në historinë e garës komunale është i padrejtë dhe i ndikuar nga faktorë të jashtëm,” ka deklaruar ai. “Nuk po largohemi nga PDK-ja për inat, por për të mbrojtur Drenasin dhe qytetarin e tij nga degradimi që po i servohet përmes bedelëve.”
Lladrovci është shprehur se ka marrë mbështetje të madhe nga qytetarët, anëtarët e Degës së PDK-së në Drenas dhe nga bashkatdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare. Ai ka theksuar se qeverisja e tij ka qenë e pastër, transparente dhe në shërbim të qytetarit – dhe do të vazhdojë të jetë e tillë.
“Qytetari i Drenasit ka vetëdije, ka vlerë dhe nuk pranon zëvendësime të pavlera. Ne do të vazhdojmë përpara bashkë me qytetarët, jo për interesa personale, por për Drenasin kampion,” përfundon ai.
Ky zhvillim pritet të trazojë skenën politike në Drenas dhe të sjellë një garë të tensionuar për postin e kryetarit në zgjedhjet e ardhshme lokale.