Një rast i falsifikimit të parasë është zbuluar të enjten pasdite në qytetin e Gjilanit, ku një qytetar ka tentuar të kryejë pagesë me para të dyshuara si të falsifikuara në degën e një banke komerciale në Gjilan.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se më 17 korrik 2025, rreth orës 15:00, punëtorja e bankës, ka raportuar se gjatë procesit të verifikimit të një transaksioni nga një klient, N. H. rreth 57-vjeçar, përfaqësues i kompanisë “Gani SHPK”, 300 euro të ndara në kartëmonedha prej 50 eurosh kanë rezultuar të dyshuara si të falsifikuara.
Sipas denoncueses, rasti nuk ishte i vetmi: më 15 korrik 2025, rreth orës 22:41, i njëjti person kishte deponuar 2,000 euro në bankomat, ku më pas ishte konstatuar se 350 euro ishin të dyshuara për falsifikim.
Rasti është iniciuar si “Falsifikim i parasë” dhe, me vendim të Prokurorit për Krime të Rënda, është proceduar për hetime të mëtejshme. Paratë e konfiskuara do t’i nënshtrohen analizës së ekspertizës forenzike.
Hetimet janë duke vazhduar nga Njësia për Hetime në Gjilan.