Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka bërë të ditur se gjatë mandatit të tij katërvjeçar janë shtuar gjithsej 9 automjete të reja shëndetësore, përfshirë autoambulanca emergjente dhe mjete për vizita shtëpiake.
“Na kanë dhënë mundësinë të reagojmë më shpejt se kurrë dhe të jemi sa më afër qytetarëve tanë,” ka shkruar Bulliqi, duke e cilësuar këtë si një prej investimeve më domethënëse në sektorin e shëndetësisë në komunë.
Sipas tij, këto mjete rrisin dukshëm efikasitetin dhe gatishmërinë e ekipeve mjekësore, duke ofruar ndihmë të menjëhershme dhe vizita shtëpiake aty ku nevoja është më e madhe.
Ky investim, i realizuar përgjatë katër viteve të fundit, përfaqëson një hap të madh drejt përmirësimit të infrastrukturës së shërbimeve shëndetësore në Podujevë dhe siguron mbështetje të drejtpërdrejtë për çdo familje llapjane.