Në Kosovë, dasma nuk është vetëm një ngjarje familjare – është një shfaqje publike ku matet nderi, prestigji, e madje edhe statusi social i familjes. Çdo verë, me mijëra dasma organizohen në sallat e mëdha të qyteteve e fshatrave, me orkestra, dekorime të shtrenjta, fustane që kushtojnë sa rroga disa mujore dhe tavolina të mbushura me ushqim, pije dhe lluks që tejkalon çdo arsye ekonomike. Por për shumë familje, ky luks është vetëm fasadë. Shumë prej tyre hyjnë në borxhe, marrin kredi bankare apo detyrohen të kërkojnë ndihmë nga diaspora vetëm për ta “kaluar me faqe të bardhë” ditën e dasmës së fëmijëve të tyre.
Shifrat janë të frikshme: një dasmë mesatare në Kosovë sot llogaritet të kushtojë nga 10 deri në 25 mijë euro. Nëse shtohen elemente si sallat luksoze, këngëtarë të njohur, foto/video profesionale dhe veshje që porositen nga jashtë, kjo shifër kalon edhe 40 mijë euro. Ironia është se shpesh kjo ndodh në raste kur as dhëndri e as nusja nuk janë të punësuar, ose kur çifti ende nuk ka një vendbanim të vetin. Edhe më e rëndë bëhet kur të kuptohet se shumica e këtyre shpenzimeve nuk bëhen për veten, por për të tjerët: për të mos u dukur më pak se tjerët, për të ruajtur “faqen” para fisit dhe shoqërisë, për të qenë në nivel me kushëririn që vitin e kaluar bëri dasmë me bend e DJ nga Tirana.
Pas gjithë kësaj feste të shtrenjtë, shpesh mbetet një realitet i zymtë. Çiftet e reja përballen me jetën e vërtetë – pa të ardhura të qëndrueshme, pa shtëpi, me borxhe që duhet t’i kthejnë me vite. Kjo ngarkesë financiare dhe psikologjike është shpesh edhe shkak i tensioneve të hershme në martesë. Megjithatë, kjo traditë vazhdon, përkundër gjithçkaje. Mentaliteti “bëje njëherë, bëje mirë” po shndërrohet në “bëje shtrenjtë, s’ka rëndësi a ke”, dhe ky është një cikël që nuk ka gjasa të ndalet shpejt, përderisa presioni shoqëror mbetet i tillë.
Ka edhe raste të tjera – të rinj që po vendosin të bëjnë dasma më të vogla, më të thjeshta, vetëm me nënshkrim dhe një drekë familjare. Kjo është rruga e arsyes, por fatkeqësisht, për momentin, mbetet në pakicë. Përderisa matet “nderi” me madhësinë e dasmës, e jo me themelin që çifti ndërton pas saj, dasmat në Kosovë do të mbeten luksoze në sipërfaqe, por të rënda në kurriz./podujevanews