“Naimin e gjeta në hotel, kishte porositur drekë” – vëllai i Liridona Ademajt përshkruan natën tragjike dhe sjelljen e Murselit

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është duke vazhduar gjykimi për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ku po dëshmon Leonard Ademaj, vëllai i viktimës.

Ai përshkroi natën tragjike kur mori lajmin për vrasjen e motrës së tij, duke thënë se ishte në punë kur bashkëshortja e njoftoi për ngjarjen.

“Në natën kritike unë isha duke punuar në lokal në fshatin tim. Diku rreth orës 10:00 të natës më ka telefonuar bashkëshortja dhe më ka thënë: ‘A dëgjove që e kanë vrarë Liridonën?’”, deklaroi ai para trupit gjykues.

Fillimisht nuk e kishte kuptuar seriozitetin e situatës për shkak të zhurmës në lokal, por kur mori thirrjen e dytë dhe iu konfirmua lajmi, u kthye menjëherë në shtëpi.

“Kur jam shkuar në shtëpi, gjendja e prindërve ishte tejet e rëndë. Nuk dija çka të bëja. E kam marrë veturën, i kam marrë edhe prindërit dhe jemi nisur për spitalin ‘Isak Grezda’ në Gjakovë”, tregoi ai.

Ai ka thënë se konfirmimin zyrtar për vrasjen ai dhe prindërit e kanë marrë në stacionin e Policisë në Prishtinë.

Leonardi tregoi se takimi me fëmijët ishte shumë emocional dhe i rëndë: “Ata ishin të frikësuar, të mërzitur për atë që kishin parë dhe dëgjuar”.

Sipas dëshmisë së tij, pas daljes nga policia, Naim Murseli, i akuzuari për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, tregoi versionin e tij për atë që kishte ndodhur.

“Ai na tha që na ka dalë një hajn me armë dhe na ka kërkuar të holla. Tha se i ka nxjerrë të hollat dhe i ka thënë edhe Liridonës: jepi çka ke. Pastaj ka thënë që i ka hapur dyert dhe i ka thënë fëmijëve në gjuhën suedeze të ikin”, rrëfeu Ademaj.

Më tej, ai përshkroi detajet që kishte dëgjuar nga vetë Murseli: “Ka thënë që kur kishin ecur 4-5 metra, ka dëgjuar një krismë, por ai ka vazhduar të ikë me fëmijët. Kishin kërkuar ndihmë në disa shtëpi, por askush nuk u kishte hapur. Ka shkuar në një market dhe i ka thënë pronarit të kujdesej për fëmijët, por pronari nuk e kishte lejuar”.

Leonardi ka thënë se të nesërmen rreth orës 11, ka provuar të gjejë kontakt me Murslein, pasi që nuk e ka ditur se ku ndodhet.

Të njëjtin e kishte gjetur të shtrirë në hotel madje siç deklaroi, ai kishte porositur edhe drekë në ato momente

“Kur jemi shkuar në dhomë, ai ishte i shtrirë, kishte disa gjëra ushqimore në tavolinë, po ashtu kishte porositur edhe drekën. Nga habia kemi menduar që është i frikësuar. I kam thanë Naim a mundemi me shkuar në morg me pa Liridonën, me ka thënë jo nuk na lejohet. Më pas e kam thirr spitalin dhe ju kam thanë që jam vëllai i Liridona Ademajt dhe a mundem me ardhur me pa trupin, më kanë thanë po. Me mu erdhi edhe Naimi edhe shoferi i tij. Kur shkuam atje, mjeku na tha nëse keni problem mos hajdeni. Naimi në atë moment tha, kam problem me zemër dhe nuk e di se a mund ta përballoi.”, ka treguar Leonardi para trupit gjykues.

Liridona Ademaj është vrarë në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht ishte raportuar se bëhet fjalë për një grabitje, e më pas Prokuroria bëri të ditur se është inskenim i një grabitjeje./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *