Një bastore ilegale është zbuluar mbrëmë nga Policia e Kosovës në qytetin e Podujevës, ku dyshohet se po zhvillohej aktivitet i paligjshëm i lojërave të fatit në një lokal pa emër, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda hetuesisë bëjnë me dije se më 12 korrik 2025, rreth orës 20:30, në rrugën Ahmet Haxhiu, njësitë policore kanë identifikuar një lokal ku dyshohej se po zhvillohej veprimtari ilegale e lojërave të fatit – bastore.
Gjatë kontrollit, Policia ka sekuestruar pajisje elektronike që shërbenin për bastvënie, 88 euro para të gatshme, si dhe një thikë, e cila ndodhej në ambientet e brendshme të lokalit.
I dyshuari, i identifikuar si Besart Bislimi, rreth 23-vjeçar është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Burimet thonë se i njëjti ka pranuar se ka organizuar aktivitetin e paligjshëm të bastores.
Pas konsultimit me Prokuroren Kujdestare, rasti është iniciuar për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.
Për çdo zhvillim të ri rreth këtij rasti, Sinjali do t’ju informojë me kohë.