Ekskluzive: Ky është taksisti nga Mitrovica që dyshohet se ia theu brinjët pasagjerit – Përfundon në ndalim 48-orësh

Gazeta Sinjali pak më parë raporoti për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në gjatë natës së 11 korrikut në lagjen “Kodra e Minatorëve” në Mitrovicën e Veriut, ku një qytetar ka pësuar lëndime serioze pas një konflikti fizik me një person tjetër.

Siç raportoi Sinjali, viktima është N.C, 50 vjeçar, i cili kishte kërkuar ndihmë mjekësore pas një rrahjeje që kishte ndodhur rreth orës 01:45 të mëngjesit. Ai ka deklaruar se ishte sulmuar nga një person pas një mosmarrëveshjeje që kishte lindur për shkak të pagesës së udhëtimit me taksi.

Lidhur me këtë, Sinjali mëson ekskluzivisht identitetin e taksistit që është arrestuar në Mitrovicë nën dyshimet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një pasagjeri të dehur, të cilit, sipas raportit mjekësor i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, përfshirë thyerje të brinjëve.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë me dije se personi i dyshuar është Veton Peci, rreth 22-vjeçar.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 11 korrikut në lagjen “Kodra e Minatorëve” në Mitrovicën e Veriut, ku policia është njoftuar për një përleshje fizike. Pas ndërhyrjes së patrullave dhe intervistimit të viktimës e dëshmitarëve (të gjithë nën ndikim të alkoolit), është konstatuar se N.C. kishte nevojë për tretman emergjent për shkak të lëndimeve serioze.

Pas identifikimit të taksistit si i dyshuar, ai është arrestuar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”.

Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar nga njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës. Sinjali do të vazhdojë të raportojë për çdo zhvillim të ri.

 

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *