Dikur fjala “burrë” kishte peshë të madhe. Nuk nënkuptonte vetëm mashkullin si gjini, por një njeri me karakter, përgjegjësi dhe moral. Një burrë nuk fliste shumë, por kur jepte fjalën, ajo ishte e shenjtë. Ai mbante shtëpinë, tokën, familjen, fjalën. Nuk ia kthente shpinën hallit, nuk i shmangej punës, sado e rëndë të ishte. Të ishe burrë do të thoshte me qenë krah i fortë për të vetët dhe për komunitetin, me qenë shembull, me pasë fjalë që nuk thyhet, me qenë i drejtë e i ndershëm. Edhe pa letra, pa shkollë, pa pare – burrëria e një njeriu shihej në sjellje dhe në veprim.
Sot, kjo fjalë është bërë e lehtë, madje shpesh e zbrazët. Plot djem të rinj e quajnë veten burra, por s’kanë lidhje me atë çka dikur përfaqësonte kjo fjalë. Kanë bërë burrërinë veturë të huazuar, video në TikTok, rroba të markës, e llafe boshe. Jetojnë me paret e prindërve që punojnë jashtë, rrinë kafeneve, shfaqen si të fortë në rrjete sociale, por s’kanë kurrfarë përgjegjësie as për veten. E në vend që të turpërohen, krekosen.
Shoqëria ka filluar të ngatërrojë burrërinë me egon. Mendohen burra ata që flasin me zë të lartë, që kërcënojnë e tregohen si “të fortë”, por burrëria nuk matet me sa i fortë dukesh, por me sa njeri je. Nuk matet me sa fjalë thua, por me sa qëndron pas tyre. Nuk matet me veturë, por me vlerë. Nuk matet me pasuri, por me ndershmëri. Me duar të pastra. Me jetë të rregullt. Me sjellje që frymëzon respekt, jo frikë.
Ka ende burra të vërtetë në këtë vend – por janë të heshtur, të thjeshtë, të padukshëm. Ata që nuk reklamojnë çdo hap të jetës në Instagram, por që luftojnë përditë për me e mbajt shtëpinë në këmbë, me nder dhe me punë. Ata që nuk kanë nevojë me u quajt “burrë”, sepse veprat e tyre flasin vetë.
Por për fat të keq, këta burra po zëvendësohen nga breza që kërkojnë rehati pa mund, status pa përmbajtje, e respekt pa sakrificë. Kultura e mashtrimit, e shfaqjes dhe e përtacisë po rritet, ndërsa burrnia po bëhet fjalë e rrallë, ndoshta edhe nostalgji.
A ka më burrni në Kosovë? Jo aq sa kishte. Por nuk është vonë me ia kthyer kuptimin. Burrëria s’është as moderne, as e vjetër – është e përjetshme, sa të ketë njerëz që besojnë në nder, punë, fjalë e drejtësi. E çdokush që jeton kështu, është burrë – me apo pa zhurmë.