“Tha se unë e kam çuar Hashim Thaçin në Hagë”, Lladrovci flet për përplasjen me Sami Lushtaku

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka folur hapur për prishjen e marrëdhënieve me nënkryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku.

Sipas Lladrovcit, Lushtaku ka hedhur akuza ndaj tij, duke thënë “ti e ke çuar Hashim Thaçin në Hagë”.

Lladrovci theksoi se marrëdhëniet e tyre 35-vjeçare janë dëmtuar për shkak të interesave personale të Lushtakut, që lidhen me ndërtimet në zona ku, sipas tij, nuk ka të drejtë të ndërtojë.

“Sami Lushtaku para katër vjetësh më ka luftuar nën brez. 35 vjet kam pasur angazhim dhe aktivitet me të. Çka thotë ai, s’po dua me ia përmend as emrin… Ato dy shkronja kur i bën bashkë, dalin më keq. Çka thotë ai për neve, na ndreqim e jemi nreq”, tha Lladrovci në një intervistë për Klan Kosova.

Ai shtoi se ndarja mes tyre nisi pas një situate të brendshme në PDK, gjatë së cilës Lladrovci kishte kërkuar të mos ketë përçarje në parti, kur Memli Krasniqi dhe Enver Hoxha kishin shfaqur interes për kandidim.

“Kur e kemi mbajt konventën, Enver Hoxha ka mbet ushtrues detyre dhe ka kandidu. Memli Krasniqi ka thënë se do me kandidu. Jam i vetmi që i kam dërguar letër Enver Hoxhës, kur i kam thënë: ‘Të lutem, miku im, tërhiqu se je vonu me kandidu. Mos na le dy kandidatë me përça partinë, sepse krerët tanë nuk janë këtu’. Edhe Enveri e ka tërheq kandidaturën”, tha ai.

Deklaratat e Lladrovcit vijnë në një kohë kur tensionet në degët lokale të PDK-së janë të dukshme, me përçarje mes figurave të njohura të partisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *