Gjendje alarmante nga zjarret në rajonin e Prishtinës

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Prishtinës ka njoftuar se situata me zjarret në territorin e Kryeqytetit dhe rrethinë është alarmante.

Deri më tani, janë regjistruar 12 raste aktive zjarresh, ndërsa 7 ekipe të Brigadës së Zjarrfikësve janë në terren duke ndërhyrë për lokalizimin dhe shuarjen e flakëve.

Për përballimin e situatës, Komuna e Prishtinës ka mobilizuar plotësisht personelin dhe ka angazhuar edhe 15 zjarrfikës shtesë.

Ndërkohë, për të ndihmuar Komunën e Podujevës, ku gjendja është e rënduar, është dërguar një ekip ndihmës.

Po ashtu, dy ekipe nga Kryeqyteti janë vënë në dispozicion për ndërhyrje në fshatin Krojmir të Komunës së Lipjanit.

“Gjendja është kritike për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve të thata atmosferike, që favorizojnë përhapjen e zjarreve”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë ka apeluar për kujdes maksimal nga ana e qytetarëve dhe ka kërkuar që çdo rast i dyshimtë, tym apo flakë, të raportohen menjëherë në numrat emergjentë: 193 ; 0800 122 33 dhe 0800 122 44.

Derisa nga vendi i ngjarjes në zonën e Pjetërshticës ku gjendja është më e rëndë nga zjarret, ka raportuar edhe kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu i cili tha se bashkë me zjarrfikësit edhe banorët po e bëjnë maksimumin për ndalimin e përhapjes së tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *