Lajm i hidhur: Vdes në moshë të re minatori i Trepçës, Rexhep Pllana

Me dhimbje të madhe është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të minatorit të njohur të Trepçës, Rexhep Pllana, i cili ndërroi jetë në moshë të re, duke lënë pas një zbrazëti të madhe te familjarët, kolegët dhe mbarë komuniteti minerar.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, e cila ka shprehur dhimbje të thellë për humbjen e njërit prej anëtarëve më të përkushtuar dhe punëtorëve më të zellshëm të ndërmarrjes.

“Me dhimbje të madhe morëm lajmin për ndarjen nga jeta të minatorit dhe anëtarit tonë, Rexhep Pllana. Ai ishte pjesë e Flotacionit Stan-Tërg, ku u dallua për përkushtimin dhe punën e tij të palodhshme në shërbim të Trepçës dhe sektorit minerar në përgjithësi,” thuhet në reagimin e sindikatës.

Po ashtu, sindikata ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjen Pllana, miqtë, kolegët dhe bashkëpunëtorët, duke e cilësuar ndarjen e tij nga jeta si një humbje të madhe për gjithë komunitetin minator.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *