Halil Matoshi:Kurti po e trajton Kosovën si “Republika Srpska” – Presidentja të japë dorëheqje!

Publicisti Halil Matoshi ka lëshuar një reagim të ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe udhëheqjes aktuale, duke paralajmëruar se Kosova po rrëshqet drejt një shpërbërjeje institucionale dhe kushtetuese të ngjashme me modelin e “Republikës Srpska” në Bosnje.

Sipas Matoshit, Qeveria aktuale po e trajton Kosovën si një entitet parashtetëror, pa rend kushtetues e pa legjitimitet institucional, duke vepruar në kundërshtim me interesin shtetëror dhe mbështetjen ndërkombëtare. Ai thekson se Kurti po e instrumentalizon votën e qytetarëve për të krijuar një “situatë revolucionare”, në të cilën ai dhe lëvizja e tij vendosin mbi ligjin dhe institucionet.

Matoshi ngre alarmin se Kurti po synon të zhbëjë themelet kushtetuese të shtetit, përfshirë nenin 1.3 të Kushtetutës që ndalon bashkimin me ndonjë shtet tjetër, duke përgatitur terrenin për një “Republikë të Tretë”, projekt që sipas tij nuk ka asnjë mbështetje ndërkombëtare dhe rrezikon vetë ekzistencën e Kosovës.

Në këtë situatë, Matoshi kërkon nga Presidentja Vjosa Osmani që të japë dorëheqje si akt patriotik, për të shpëtuar rendin kushtetues dhe për të hapur rrugën për zgjedhje të jashtëzakonshme. Sipas tij, kjo është e vetmja mënyrë për të ndalur rrugën e rrezikshme në të cilën ka hyrë vendi.

“Populli i zemëruar mund ta sulmojë rendin kushtetues, por elitat politike e kulturore duhet ta mbrojnë atë, edhe nga vetë populli”, përfundon Matoshi, duke cituar një profesor gjerman.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *