Ekskluzive: U raportua si viktimë e një sulmi, por përfundon nën hetim – i bie arma në tokë gjatë përleshjes në Podujevë

Një incident i pazakontë është zbuluar në Podujevë, ku një rast i raportuar fillimisht si “sulm” ka nxjerrë në pah edhe një vepër tjetër penale, armëmbajtje pa leje nga vetë i sulmuari.

Burimet e Sinjalit brenda Policisë bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 2 korrik 2025, rreth orës 08:50, në rrugën “Brahim Hertica” në Podujevë. Hetuesit e Stacionit Policor, gjatë trajtimit të një rasti të dhunës fizike, sulmit, kanë zbuluar se Arianit Kadriu, 29-vjeçar, i cili ishte paraqitur si viktimë, posedonte një armë zjarri pa leje.

Sipas hetimeve, Kadriu ishte sulmuar nga disa persona ndërsa gjendej në automjetin e tij, një Volkswagen Golf 7 i bardhë. Në momentin që ai kishte dalë nga vetura, nga trupi i tij kishte rënë në tokë një armë zjarri e tipit pistoletë, gjë që është vërejtur nga njësia hetimore.

Menjëherë pas kësaj, hetuesit kanë shkuar në shtëpinë e tij dhe, me pëlqimin e të dyshuarit, kanë kryer kontroll në banesë dhe objektet përcjellëse, ku kanë gjetur dhe sekuestruar: një armë zjarri (pistoletë), dy karikatorë, 19 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një kuti me pajisje për pastrimin e armës.

Kadriu është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe ka pranuar posedimin e armës. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurorja kujdestare, e cila ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërkohë hetimet për të dy rastet, sulmin dhe armëmbajtjen vazhdojnë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *