Ekskluzive: Kapet me marihuanë brenda burgut të Dubravës – I dyshuari e kishte fshehur në bllok të telefonave

Varësia nga droga nuk po i mban imun as personat që ndodhen prapa grilave, sidomos në Burgun e Dubravës – ku raportohen raste të tilla më së shumti dhe siç duket me lehtësi po futet droga brenda hapësirave të burgut, raporton Gazeta Sinjali.

Një tjetër rast i tillë është zbuluar së fundmi, ku një i burgosur dyshohet se ka fshehur marihuanë në trup.

Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se më 30 qershor 2025, rreth orës 14:30, pas një informate operative, sektori për siguri i burgut ka organizuar një kontroll ndaj të burgosurit F.I., rreth 29-vjeçar, për të cilin dyshohej se posedonte substancë narkotike.

Gjatë kontrollit fizik, tek i dyshuari është gjetur një bllok i numrave të telefonit, brenda të cilit ishin fshehur dy paketime të mbështjella me qese plastike, që përmbanin substancë të dyshuar marihuanë.

Pas peshimit, sasia ka rezultuar rreth 15 gram bruto. Lënda narkotike është sekuestruar si provë materiale, ndërsa Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë ka marrë përsipër trajtimin e rastit.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori Kujdestar, ku me urdhër të tij është iniciuar procedurë penale për veprën “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *