FITORE E BIZNESEVE – GJYKATA BLOKON VENDIMIN E ZRrE!

Gjykata Komerciale në Prishtinë ka miratuar kërkesën e paditësit për pezullimin e njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), i cili parashihte daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Me këtë aktvendim, gjykata ka shtyrë përkohësisht ekzekutimin e njoftimit të datës 3 qershor 2025, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar lidhur me padinë e paraqitur. Vendimi i gjykatës konsiderohet si një hap i rëndësishëm në adresimin e shqetësimeve të bizneseve lidhur me ndikimet që ky proces mund të ketë në funksionimin dhe stabilitetin e tyre financiar.

Pas këtij zhvillimi, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar duke i kërkuar ZRrE-së që të ndalë çdo veprim të mëtejmë që mund të shkaktojë pasiguri apo dëm për bizneset dhe të pezullojë zbatimin e vendimit deri në një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët.

OEK thekson se nuk është kundër daljes në tregun e lirë të energjisë, por ka kërkuar vazhdimisht që ky proces të realizohet përmes një plani të qartë dhe të zbatueshëm tranzicioni, i cili siguron stabilitet për bizneset dhe qytetarët e Kosovës.

Ky vendim gjyqësor pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe te shumë biznese në komunën e Podujevës dhe rrethinë, që aktualisht operojnë në kushte të vështira energjetike dhe ekonomike./pdnews

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *