Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), njofton të gjithë maturantët se, nesër, më datë 21 qershor 2025, duke filluar nga ora 10:00 do të mbahet Provimi i Maturës Shtetërore.
Provimit do t’i nënshtrohen 18.800 maturantë kurse rezultatet do të bëhen publike më së largu deri më 30 qershor.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se MAShTI ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për organizimin e provimit, duke angazhuar dhe përgatitur trupa të ndryshëm mbikëqyrës, të cilët janë të obliguar të sigurojnë zhvillimin e mbarë e korrekt të procesit.
“Për të siguruar një proces të drejtë, të rregullt dhe të besueshëm, Ministria e Arsimit lutë të gjithë maturantët që t’u përmbahen rregullave të përcaktuara, si: mosmbajtja me vete e telefonave apo pajisjeve të tjera elektronike, pasi nuk do të lejohet hyrja në qendrat e testimit për ata që mbajnë pajisje të tilla”, thuhet në njoftim.
MAShTI gjithashtu njofton se, hyrja në qendrën e testimit do të mbyllet në ora 10:00. Pas kësaj ore, nuk do të lejohet hyrja e asnjë personi të paautorizuar nga MAShTI deri në përfundimin e testit.