Komandanti i FSK-së priti në takim Atasheun e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në takim mirëseardhës Atasheun e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nënkolonel Denise McMahon.

Në fillim të takimit, Gjeneral Jashari e uroi Nënkolonel McMahon për detyrën e re dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Gjatë takimit, Komandanti i FSK-së e njoftoi atë për të arriturat e deritanishme të forcës, si dhe diskutoi objektivat e zhvillimit të mëtejmë, me fokus në planet bilaterale që përfshijnë trajnimet, stërvitjet, pajisjet dhe aktivitetet e përbashkëta.

Nga ana e saj, Nënkolonel McMahon përgëzoi Gjeneral Jasharin për zhvillimin e FSK-së dhe profesionalizmin e personelit, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në fund të takimit, të dy palët u pajtuan që marrëdhëniet bilaterale të thellohen edhe më tej, me fokus në zhvillimin e kapaciteteve ushtarake të FSK-së në funksion të përmbushjes së misionit të saj. /Telegrafi/