Salihu: 80% e pengesave në lumenj të dëmtuara – po shkaktojnë devijim të ujit dhe tharje zonash

Ndërhyrjet në lumenjtë e Kosovës po shkaktojnë pasoja të drejtpërdrejta në rrjedhën e ujit dhe në ekosistem, ndërsa një pjesë e madhe e infrastrukturës ekzistuese është jashtë funksionit. Kështu ka deklaruar Krenare Salihu në “Përballje Podcast”.

Ajo theksoi se megjithëse disa diga dhe penda vazhdojnë të përdoren, shumica e tyre janë në gjendje të dobët.

“Ka penda që janë ende në shfrytëzim, por rreth 80 për qind prej tyre janë të ndërtuara me beton dhe armaturë të dobët dhe janë dëmtuar me kalimin e kohës”, u shpreh Salihu shkruan Telegrafi.

Sipas saj, reshjet dhe lëvizjet e lumenjve kanë ndikuar në dëmtimin e këtyre strukturave, të cilat në shumë raste nuk e kryejnë më funksionin për të cilin janë ndërtuar.

“Për momentin kanë mbetur veç si pengesa në lumenj, duke e dëmtuar lumin më shumë sesa duke i shërbyer atij”, theksoi ajo.

Salihu solli edhe shembuj konkretë të pasojave në terren, ku ndërhyrjet kanë ndryshuar rrjedhën natyrore të ujit.

“Kemi raste kur vendoset një pengesë dhe lumi kalon në anën tjetër, ndërsa ujërat nëntokësore ndryshojnë rrjedhën. Ka zona që thonë se nuk kanë pasur ujë më parë, por në fakt rrjedha është devijuar për shkak të ndërhyrjeve”, deklaroi ajo.

– YouTube www.youtube.com

Ajo shtoi se në disa raste, projektet e financuara me para publike kanë përfunduar si struktura të dëmtuara dhe të padobishme.

“Ka pengesa që kanë mbetur vetëm si beton i shkatërruar, ndërsa ujërat nëntokësore kanë lëvizur në drejtime tjera ose zona të tëra janë tharë”, paralajmëroi Salihu.

Sipas saj, ndërhyrjet e pakontrolluara dhe mungesa e mirëmbajtjes po krijojnë pasoja afatgjata për furnizimin me ujë dhe për mjedisin në përgjithësi./Telegrafi/.