Abdixhiku mohon diskutimet për emra konkretë për president, thotë se LDK nuk mbështet përqendrimin e pushtetit në një parti

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se në takimin me kryeministrin Albin Kurti nuk është diskutuar për emra konkretë për postin e presidentit, duke i cilësuar si spekulime të pabazuara pretendimet për kandidatura të mundshme.

Ai ka bërë të ditur se diskutimet janë përqendruar vetëm në propozimet e paraqitura nga Lëvizja Vetëvendosje, për të cilat LDK-ja ka dhënë qëndrim refuzues.

“Kam dëgjuar shumë spekulime dje. Janë vetëm spekulime, nuk janë të vërteta. Pra, nuk kemi folur për emra, aq më pak për emrin tim. Pra kemi folur për dy propozimet aktuale që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje në mëngjes i kam dërguar përgjigje që LDK-ja nuk mund të mbështet një skenar në të cilin të tri kandidaturat, të tri pozicionet shtetërore i takojnë një partie politike”, ka deklaruar Abdixhiku.

Sipas tij, në ditët në vijim mund të ketë përpjekje për takime të reja mes subjekteve politike, ndonëse aktualisht nuk ka zhvillime konkrete.

“Tani shohim gjatë javës së ardhshme për të parë mundësinë e takimeve të tjera. Kaq është e vërteta, nuk ka zhvillime të tjera. Nuk kemi propozuar emër, nuk kemi dhënë asgjë, dhe nuk na është kërkuar ende asgjë. Kjo është e vërteta e vetme. Dhe mbi këtë të vërtetë do shohim se si do zhvillohen çështjet tutje”, është shprehur ai.

Abdixhiku ka konfirmuar gjithashtu se është takuar me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për të harmonizuar qëndrimet, ndërsa ka bërë të ditur se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk ka pranuar të zhvillojë takim.

“Po jam takuar me zotërinë Hamza. Kam zhvilluar diskutime për të parë pozicionin e tyre. Zotëri Haradinaj ka pasur refuzim takimi, me thënë të drejtën është qëndrim i tyre që s’duan të takohen po mos të ankohen pastaj. Sepse takimi është parakusht i diskutimeve normale njerëzore. Si duket zotëri Haradinaj e ka keqkuptuar mirësinë time për të pasur komunikim, po në qoftë se s’do me u taku, s’është problem i madh”, ka theksuar ai.

Lideri i LDK-së ka nënvizuar se nuk ka ambicie personale për postin e presidentit, duke insistuar se ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i bazuar në konsensus ndërpartiak.

“Jo, s’ka gjasa të vetëpropozohem sepse çështja e presidentit është çështje konsensuale. Pra duhet të flasim për parimet njëherë. Mos t’i ngatërrojmë. Nuk po flasim për akomodime individuale në këtë fazë. Aq më pak për një pozicion kaq të rëndësishme shtetërore. Pra flasim për interesa ndërpartiake. Pra a ka mundësi që partitë të akomodohen rreth një marrëveshjeje shumë më të madhe. Në qoftë se jo, atëherë përgatitemi për zgjedhje të reja. Por jo, kjo s’është politikë personale, ju lutem”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka shtuar se, megjithëse një pjesë e afatit kushtetues tashmë ka kaluar, ende nuk është arritur marrëveshje për një kandidat konsensual për president.

“Po s’e kemi gjetur. I kemi harxhuar diku 30 ditë para afatit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk kemi arritur të gjejmë një president konsensual. Pra, fillimisht duhet të flasim për parimet. Pra si duket ai president? A duhet të ketë marrëveshje mes LDK-së dhe Vetëvendosjes apo partive të tjera? Pra është çështje, në qoftë se ka marrëveshje, atëherë gjenden edhe emrat. Në qoftë se mendoni a ka kandidatë, ka mjaft. Çdo i dyti qytetar ka pasur qenë i mirë për të qenë president. Besoj që Vjosa Osmani ka qenë një kandidate e shkëlqyeshme”, ka përfunduar Abdixhiku. /Telegrafi/