
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të premten nga ora 10:00, ku pritet të trajtohen disa çështje me rëndësi, përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Nagavci theksoi se në rend dite do të përfshihen marrëveshjet që nuk janë votuar në seancat e kaluara, si dhe projektligje të shqyrtuara nga komisionet parlamentare.
“Seanca do të jetë këtë të premte me fillim nga ora 10:00 sepse ka tema të rëndësishëm si marrëveshje ndërkombëtare e duhet trajtuar brenda mandatit si deputet aktualisht..Janë marrëveshjet ndërkombëtare që nuk u votuan në seancat e kaluara.Komisionet kanë shqyrtuar së paku edhe 9 projektligje që kanë ardhur si material nga Qeveria.E kemi të rëndësishme që edhe këto projektligje ti votojmë në Kuvend në lexim të parë që të ketë kohë të mjaftueshme në lexim të dytë para datës 28. Pres që të arrihet një pajtueshmëri e këto projektligje të jenë pjesë e diskutimit dhe trajtimit në ditën e premte”, deklaroi Nagavci.
Ajo njoftoi gjithashtu se rezoluta e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës pritet të rikthehet në rend dite të hënën, megjithëse ende nuk është përcaktuar nëse do të jetë pika e parë e diskutimit.
Në lidhje me këtë çështje, Nagavci theksoi nevojën për konsensus politik rreth përmbajtjes së rezolutës.
“Sa i përket rezolutës së propozuar nga ana e PDK-së ne që në ditën e parë kemi që në të gatshëm të kontribuojmë në një tekst të rezolutës që në rend të parë i bën nder Kuvendit dhe paraqet unitet të plotë të partive politike në Kosovë.Unë kam kërkuar qysh në seancën e kaluar nga PDK që të ftojë grupin punues të dakordohen me përmbajtjen e rezolutës.Sot u njoftuam që janë të interesuar ta fusin në rend ditë për ditën e premte. Kërkojmë që të kemi një rezolutë të dakorduar në mes të gjitha grupeve. S’kemi asnjë problem me rezolutë që do të adresonte gjenocidin e kryer nga Serbia.S’jemi të interesuar e as të gatshëm që temat të cilat janë me interes shtetërorë kombëtare e që duhet të paraqesin unitetin e të gjithë neve të trajtohen si tema parciale e individuale”, tha ajo.
Rezoluta e propozuar nga PDK-ja ishte bërë shkak për ndërprerjen e seancës së kaluar, pasi nuk ishte përfshirë në rendin e ditës, çka kishte sjellë largimin e deputetëve të kësaj partie nga salla. /Telegrafi/