Grabitet shtëpia e imamit të njohur nga Mitrovica

Një vjedhje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Mitrovicë, ku persona ende të paidentifikuar kanë depërtuar me forcë në një shtëpi dhe kanë marrë para të gatshme, armë zjarri dhe mjete të tjera.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur për Sinjalin se rasti ka ndodhur më 20.02.2026 rreth orës 19:30, në rrugën “Martirët e Studimes”.

Ankuesi, Kryeimami i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, R.Lushta., rreth 54-vjeçar, ka raportuar se persona të panjohur, duke përdorur mjete të forta, kanë thyer derën hyrëse të shtëpisë dhe më pas kanë kontrolluar të gjitha ambientet.

Sipas deklarimit të tij, hajnat kanë vjedhur:

një sef metalik me 4,000 euro para bamirësie të dhuruara nga qytetarët,

një revole me leje,

40 fishekë, një karikator dhe dokumentacionin e armës,

rreth 2,000 euro kursime të fëmijëve, të mbajtura në dhomat e gjumit.

Vlera totale e dëmit llogaritet rreth 6,000 euro, pa përfshirë armën dhe pajisjet shoqëruese.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, përfshirë hetuesit e Stacionit Policor Mitrovicë Jug dhe Njësinë Rajonale të Hetimeve. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Vjedhje e rëndë”.

Aktualisht nuk ka persona të dyshuar, ndërsa hetimet janë në zhvillim.

The post Grabitet shtëpia e imamit të njohur nga Mitrovica appeared first on Podujeva Sot.