Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se në ditët dhe javët në vijim do të intensifikojë inspektimet në terren, me fokus të veçantë personat dhe subjektet që zhvillojnë aktivitet ekonomik pa qenë të regjistruar ligjërisht.
Sipas ATK-së, të gjithë ata që ushtrojnë aktivitet ekonomik janë të obliguar që të regjistrohen në kohë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) dhe të pajisen me numër fiskal, para se aktiviteti i tyre të identifikohet nga inspektorët tatimorë.
ATK ka bërë të ditur se mosregjistrimi i aktivitetit ekonomik përbën shkelje ligjore, dhe në rast të identifikimit në terren, do të merren masa konform legjislacionit në fuqi, përfshirë regjistrimin e detyrueshëm dhe shqiptimin e gjobave përkatëse.
Përveç bizneseve të paregjistruara, ATK ka apeluar edhe tek tatimpaguesit ekzistues që të verifikojnë dhe përditësojnë të dhënat e tyre në sistemin tatimor, me qëllim shmangien e penaliteteve dhe problemeve administrative.
“Regjistrimi vullnetar dhe respektimi i obligimeve tatimore kontribuojnë në formalizimin e ekonomisë, konkurrencë të drejtë dhe stabilitet financiar,” thuhet në njoftimin e ATK-së.
ATK u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që zhvillojnë aktivitet ekonomik që të veprojnë në përputhje me ligjin, duke shmangur pasojat ligjore dhe financiare që mund të vijnë nga inspektimet në terren.